Kriza ekonomike e vitit 2008 që përfshiu edhe Shqipërinë la pas rreth 1.1 miliardë euro kredi të këqija.
Huatë e papaguara në kohë, niveli i të cilave në vitin 2015 ishte sa 25 për qind e totalit gjunjëzuan sektorin bankar në vend. Me filozofinë “aty ku ka kriza ka edhe mundësi” në vend nisën të krijoheshin kompanitë e para që blinin kreditë e këqija nga bankat, me norma të ulëta interesi.
Më pas këto institucione, me ndihmën e zyrave private përmbarimore, detyrimin qytetarët të paguanin shumë të mëdha parash ose përndryshe iu bllokonin banesa e automjete.
Skema, pre e së cilës kanë rënë pre 63 mijë shqiptarë ka përfshirë edhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili pretendohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga të paktën një kompani.
“Duhet të na thotë prokuroria nëse ka mashtrim financiar, unë s’kam asnjë informacion nga prokuroria, jo të më thotë mua prokuroria mua ‘ti je i hetuar për shpërdorim detyre’, por të më thotë ‘ja ku janë shkeljet ligjore, ja ku janë problemet dhe vepro’. Dhe atëherë unë si Guvernator po të mos kisha vepruar do të isha fajtor, por unë nuk kam asnjë informacion nga prokuroria. Dyshohem, hidhet gjithë ky tym, mblidheni ju këtu dhe më thoni mua ‘çfarë ka ndodhur, ç’është kjo gjë e tmerrshme që ka ndodhur dhe ti je kriminel’, ndërkohë që unë nuk kam informacion”, tha Sejko.
Për gati 4 orë, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, guvernatori Sejko ju kërkua llogari se çfarë institucioni që drejton kishte bërë në drejtim të problematikës sociale me mbledhjen e kredive të këqija, veçanërisht nga shoqëria Microcredit Albania, të cilës i është hequr licenca nga Banka e Shqipërisë.
“Unë besoj se duhet të nisim nga zanafilla: Pse lindi nevoja e krijimit dhe licencimit të këtyre kompanive të mbledhjeve të kredive me probleme, njohur në zhargon si “kredi të këqija”, u shpreh deputetja Gjylameti.
“Kur do të thirren Ministri i Drejtësisë dhe ai i financave për të dëshmuar pasi problemi shkon përtej Bankës së Shqipërisë?”, shtoi Spaho.
“A ka informacion Banka e Shqipërisë se në cilat drejtime janë cenuar më shumë qytetarët shqiptarë?”, deklaroi Tabaku.
Duke pranuar abuzimet me qytetarët, Sejko propozoi ndryshime ligjore në drejtim të mbledhjes së kredive të këqija.
“Të hartojmë në bashkëpunim me BB një ligj të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit, të përkthehen në ligje vendosjet e tavaneve për normat e interesit, dhe të jetë i sanksionuar me ligj kufizimi i masës së penaliteteve që i ngarkohen një kredimarrësi të kredisë konsumatore në 30% të shumës së detyrimit të papaguar. Po përmbaruesit a kontrollohen a i shikoni ju? Të ndalojmë procesin dhe të ndihmojmë qytetarët nëse ka abuzim në përmbarim”, shtoi guvernatori.
Nga Komisioni i ekonomisë dhe Financave, Guvernatori Sejko njoftoi se veç Microcredit Albania, licenca mund t’i hiqet edhe një tjetër institucioni financiar që blen dhe mblodh kreditë e këqija.
“Ne po hetojmë edhe kompaninë FINAL, jemi aty që në fillim të muajit maj që mos të ketë kalim të portofolit, që të shmangim çdo shkelje. Ose nëse do ketë kalime të jenë të ligjshme”, tha ai.
Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetin e mbledhjes së kredive të këqija 5 institucione financiare jo-banka.