Ka nisur deklarata e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron.
Gjatë kësaj konference për shtyp, kreu i qeverisë bëri të ditur, se me Cameron diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve por edhe për thellimin e tyre në vijim.
Rama bëri po ashtu të ditur edhe datën kur do të takohet me emigrantët shqiptarë në Londër, që ishte 2 qershori.
“Pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Britanisë së Madhe, në një projekt strategjik me rëndësi për Shqipërinë, Kosovën dhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë.”
Teksa theksoi se projekti i hekurudhës i tejkalon interesat e Shqipërisë dhe Kosovës, Rama shtoi se Britania e Madhe ka shprehur gatishmërinë e saj për ta mbështetur projektin financiarisht, por edhe për të dhënë ekspertizën e saj.
Kryeministri iu referuar Sekretarit britanik për Çështjet e Jashtme si një avokat shumë të rëndësishëm për të gjitha çështjet transformuese të rajonit.
“Britania e Madhe ka shprehur interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shteteve në rajon.”
Gjatë konferencës të dyja palët u zotuan gjithashtu që ta vijojnë luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
“Vullneti është i përbashkët për t’i shkuar në rrenjë këtij fenomeni.”
Gjatë vizitës në Shqipëri, David Cameron do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Edi Rama, si dhe me presidentin Bajram Begaj e ministrin e Jashtëm Igli Hasani për një sërë çështjesh, duke përfshirë trajtimin e migracionit të paligjshëm, krimin e organizuar dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor.