Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se nuk është kënaqësi që njerëzit futen në burg. Në debat me deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Dumani tha se “prokurorët nuk flenë të qetë për dilemat e tyre nëse kanë marrë vendim të drejtë apo jo”.
“Çfarë jemi në fund të fundit ne? Ne ngremë akuza dhe fusim njerëz në burg, kënaqësi është për ne? Kurrë nuk është kënaqësi, por është pjesë e detyrës tonë institucionale dhe ligjore. Por nuk është kënaqësi ta garantoj. Nuk flemë të qetë me dilemat tona, kemi marrë një vendim të drejtë apo jo”, tha Dumani.
Ndërsa në lidhje me operacionin e fundit të SPAK, Dumani tha se “nuk mund të aludohet për dekonspirim”.
“Si mund të aludosh që hetuesit kanë dekonspiruar çështjen. Është mundi i prokurorëve, kemi punuar ditë e natë. Është fyese për mua dhe denigruese që të aludosh për personat që me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq komplekse me kaq personazhe”, deklaroi Dumani.
Ndërkohë, teksa kreu i SPAK, Altin Dumani, raportonte në Komisionin e Ligjeve për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, u vu re se Sekretari i Përgjithshëm i Rithemelimit Flamur Noka ishte në seancë i veshur me një bluzë me mbishkrimin “Lironi Berishën”.
Noka u pa krah Monika Kryemadhit teksa po diskutonin me njëri-tjetrin.