Pak ditë pas marrjes në pyetje në SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror e financiar ndaj Erjon Veliajt. Sipas gazetarit të A2 CNN, Julian Kasapi, prokurori i posaçëm Olsi Dade ka kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë për çdo transaksion që ka kryer jo vetëm Veliaj, por edhe bashkëshortja, vëllai dhe nëna e tij. të kenë
“Prokuroria e Posaçme është në fazat e para të hetimit pasuror siç ndodhi dhe me zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Nëpërmjet prokurorit Olsi Dade i është kërkuar informacion nga bankat e nivelit të dytë për çdo transaksion që jo vetëm Veliaj, por edhe bashkëshortja, vëllai dhe nëna e tij të kenë kryer. Apo edhe nëse kryetari bashkisë të ketë marrë një kredi t’i vihet në dispozicion. E njëjta shkresë i ka shkuar edhe Hipotekave dhe Tatimeve. SPAK ka nisur hetim pasuror për të parë të gjitha lëvizjet financiare e pasurore të kryebashkiakut të Tiranës”, raportoi Kasapi.
Kujtojmë se më 30 prill, Veliaj u mor 7 orë në pyetje nga prokurorët e SPAK. Në dalje ai tha se çështja e inceneratorit të Tiranës u ezaurua pasi edhe vetë ai kishte kërkuar që të paraqitej dhe të jepte versionin e tij.
Kreu i SPAK, Altin Dumani tha pas një fletëthirrjeje për t’u paraqitur në SPAK u mor në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për inceneratorin e Tiranës, një investim mbi 100 milionë euro nga taksapaguesit shqiptarë por që asnjëherë nuk u ndërtua. Për këtë çështje janë shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Një tjetër çështje që përfshin Bashkinë e Tiranës është dosja “5 D”, ku janë arrestuar për korrupsion 5 drejtorë të kësaj bashkie, çka ka ndezur edhe protestat e opozitës para bashkisë së Tiranës.