November 28, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

U prezantuan si policë dhe i morën me forcë paratë një 35-vjeçari, arrestohen 2 bulqizakët

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Bulqizës, pasi i morën me forcë një 35-vjeçari në rrugë një shumë parash. Sipas Policisë, mbrëmjen e djeshme këta persona i janë prezantuar 35-vjeçarit si punonjës policie dhe i morën paratë.

Njoftimi i Policisë Bulqizë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Prezantimi”.

Iu prezantuan si punonjës policie dhe i morën me forcë, një shtetasi në rrugë, një shumë parash, identifikohen dhe arrestohen, si rezultat i veprimeve të shpejta policore, 2 autorët.

Njëri nga të arrestuarit, i dënuar më parë për krime kundër personit dhe pronës.

Menjëherë pas kallëzimit të një 36-vjeçari, se rreth orës 22:00 të datës 21.05.2024, 2 shtetas që i ishin prezantuar si punonjës policie, i kishin marrë me forcë, në rrugë, një shumë të vogël parash, Komisariati i Policisë Bulqizë ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera në kuadër të operacionit “Prezantimi”, u vunë në pranga shtetasit D. T., 26 vjeç (i dënuar disa herë, për vepra penale kundër personit dhe pronës) dhe V. B., 36 vjeç, të dy banues në Bulqizë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme, për veprat “Vjedhja me dhunë” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.