Kreu i SPAK, Altin Dumani, teksa raporton në Komisionin e Ligjeve, iu është përgjigjur disa pyetjeve të anëtarit socialist të këtij komisioni, Damian Gjiknuri.
Së pari, ai është përqendruar tek ndryshimet kushtetuese dhe ligjore përsa i përket mandatit, duke thënë se, ai si drejtues i institucionit, e ka adresuar si shqetësim, ndërsa ka shtuar se nuk ka ndërmend të ketë asnjë lloj roli aktiv lidhur me ecurinë e mëtejshme sa i përket mënyrës së adresimit të këtij shqetësimi të ngritur nga institucioni që ai përfaqëson.
“Sa i përket mandatit, patjetër që ka nevojë për ndryshme kushtetuese dhe ligjore. Unë në cilësinë e drejtuesit të institucionit, e kam adresuar si shqetësim, dhe ky është roli im, dhe nuk kam ndërmend të kem asnjë lloj roli aktiv lidhur me ecurinë e mëtejshme sa i përket mënyrës së adresimit të këtij shqetësimi të ngritur nga institucioni që unë përfaqësoj.
Jua thashë edhe njëherë, për mua personalisht mos më llogarisni fare, mua më mjaftojnë nëntë vjet, jam shumë i kënaqur nëse në përfundim të mandatit nëntëvjeçar. Arsyet pse unë mendoj që duhet të ndodhin këto ndryshime i kam përmendur edhe këtu, edhe në raport.
E diskutueshme është, ka argumente pro dhe kundër, por është pjesë e bindjes sime që, e drejta për të rinovuar mandatin do të kontribuojë në vazhdimësinë dhe efektivitetin e institucionit.”, u shpreh Dumani në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, sa i përket publikimit të materialeve sekrete hetimore në media, Dumani tha se ky është një shqetësim i madh edhe për vetë SPAK, por garantoi se nga ana e këtij institucionit ka pasur një hetim të brendshëm nëse kemi pasur të bëjmë me rrjedhje të informacionit nga brenda.
“Lidhur me materialet që publikohen në media, patjetër që është një shqetësim i madh edhe për ne si institucion. Patjetër ne kemi edhe hetimet tona të brendshme nëse kemi pasur rrjedhje të informacionit nga brenda.
Ne faktikisht, në hetimet shumë komplekse, kërkojmë ndalimin e publikimit të këtyre materialeve. Ngelet në përgjegjësinë e secilit për të zbatuar apo jo një vendim gjykate që thotë që ndalohet publikimi.
Nga brenda përpiqemi ta menaxhojmë dhe ka një reduktim shumë të madh të rrjedhjes së informacionit nga vetë SPAK. Ne e kemi vlerësuar dhe do ta vlerësojmë si institucion se cila do të jetë masa e radhës.”, deklaroi Dumani më tej në fjalën e tij.