December 3, 2024
Bota Lajmi i fundit

Bota njohu gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiç hedh flamurin serb krahëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duket se nuk e ka pritur mirë votimin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila njohu sot gjenocidin serb në Srebrenicë, përmes miratimit të një rezolute.

Teksa u shpall rezultati në favor të këtij drafti, lideri serb i cili ishte i pranishëm në seancë, hodhi krahëve flamurin e Serbisë, një veprim që nuk u cilësua si i hijshëm nga të pranishmit e tjerë.

Edhe pse iu kërkua që ta hiqte flamurin nga shpatullat, ai u shpreh se “askush në botë” nuk mund t’ia marrë atë.

OKB njeh gjenocidin serb në Srebrenicë

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

Shtetet që e propozuan zyrtarisht atë ishin Gjermania dhe Ruanda, ndërsa në mbështetje të saj kanë dalë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Sërpska.