November 29, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Kredi për të shlyer kredinë, zbulohet skema e përmbaruesve, si u vodhën mijëra qytetarë debitorë

Gjykata caktoi masa sigurie ndaj 9 personave, të akuzuar për vjedhje të qytetarëve të ndryshëm përmes skemave mashtruese me mikrokreditë. Katër prej tyre u arrestuan nga policia, në zbatim të masave “arrest në burg”, një i pestë u shpall në kërkim, ndërsa 4 të tjerë u ndaluan pas masave të “arrestit në shtëpi”, për akuzat e “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Të dyshuarit janë Elda Ibro, administratore e institucionit financiar Mikro Credit Albania, administratorët e tre shoqërive përmbarimore Aldo Daka, Albert Gega e Edmond Mato dhe pesë përmbarues të këtyre shoqërive.

Sipas hetimit të nisur pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë në vitin 2020 ndaj subjekteve Micro Credit Albania, ADCA, Shoqërisë Përmbarimore Zig, FS, FLASH si dhe përmbaruesve të tyre për krijim “skeme mashtruese dhe piramidale”, pas dyshimeve se përmbarues, avokatë e noterë ishin bërë bashkë, duke futur në kurthe financiare mijëra qytetarë.

Por si funksiononte skema e vjedhjes së 9 të dyshuarve? Referuar hetimit të Prokurorisë së Tiranës, kundrejt një shumë prej 450 mijë eurosh, shoqëria Micro Credit Albania, ka marrë nga një bankë e nivelit të dytë 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro.

Skema shtrënguese e kredimarrjes nëpërmjet vjedhjes imponohej për debitorët që kishin borxhe të vjetra tek banka e nivelit të dytë, të cilëve u bllokohej nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive te blera, nga MCA është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re nga kreditori pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditoreve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Nga ana tjetër, hetimi ka vërejtur se sekuestrot janë shtrirë edhe ndaj personave që nuk kanë lidhje me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore. Rasti më flagrant i kësaj natyre është ai ndaj një qytetari ku Micro Credit Albania për një detyrim të pashlyer prej gati 3.5 milionë lekësh të vjetër i ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme.

Po sipas hetimit, përmbaruesit kanë shtuar kamatat e vonesave në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur debitorët, në një kohë që shumën e përcaktuar në titullin ekzekutiv e përcakton vetëm gjykata.