December 3, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Masakroi me thikë gruan për xhelozi/ Para 13 vitesh vrau një person në Tiranë, 52-vjeçari kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e viktimës

Janë zbardhur detaje të reja lidhur me 52-vjeçarin, Jakup Shahu i cili goditi me thikë gruan e tij në qafë dhe në trup. Autori është arrestuar menjëherë nga policia, ndërsa sapo kishte dalë burgu, pasi ishte dënuar me 13 vite burg për një vrasje në Selitë të Tiranës në 2011.

 

Si plagosja e orëve të para të mëngjesit të sotëm ashtu dhe vrasja në 2011 kishin të njëjtin motiv: xhelozinë. Gjithashtu raportohet se para gjashtë muajsh ai ishte arrestuar nga policia e Tiranës për dhunë, por ka bërë burg vetëm tre ditë e më pas është lënë i lirë.

 

Vrasja në 2011

 

Gjatë një sherri mes banorëve të komunitetit rom në atë kohë në Selitë, Jakupi ka vrarë me kallashnikovë Arjan Mejdanin ndërsa shoku i tij Agron Isiu, plagosi dy të tjerë, babain e viktimës, Bujar Mejdani dhe kunati i këtij të fundit, Arben Muharremi. Pas vrasjes, ata tentuan të arratiseshin, por i mbaroi karburanti i makinës dhe u kapën nga policia.

 

Sherri mes Jakup Shahut dhe viktimës, Arjan Mejdani, ka pasuar si shkak konfliktin e vazhdueshëm të bashkëshorteve të tyre. Gratë e dy protagonistëve të ngjarjes pretendonin për tradhti bashkëshortore.

 

Shahu, kishte një lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e viktimës Arjan Mejdani. Kjo lidhje fillimisht është zbuluar nga bashkëshortja e autorit, e cila ka kërkuar shpjegime te gruaja e viktimës, pasi sipas saj, ishte ajo që i vardisej të shoqit.

 

Sipas dëshmitarëve, të cilët janë pyetur nga policia, gruaja e të dyshuarit Jakup Shahu, një javë para ngjarjes, ka shkuar për te lokali i viktimës, aty ku ndodhi edhe vrasja, dhe ka nisur të debatojë me gruan e Arjan Mejdanit, duke e akuzuar se i kishte marrë bashkëshortin.

 

Sherri mes dy grave ka vijuar pothuajse çdo ditë. Për konfliktin e vazhdueshëm është vënë në dijeni viktima Arjan Mejdani. Pasi ka dëgjuar variantin e gruas së tij, me të cilën kishte 3 fëmijë, Mejdani ka shkuar të takojë të dyshuarin Jakup Shahu, i cili banonte pranë shtëpisë së Mejdanit.

 

Duke debatuar me të, në mes është futur bashkëshortja e Shahut, e cila ka rrëfyer edhe historinë e tradhtisë nga ana e të shoqit dhe gruas së viktimës. Ky debat është bërë dy ditë para se të ndodhte ngjarja e rëndë mbrëmjen e së mërkurës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, ky ka qenë edhe shkaku i debatit që nisi para se të përdoreshin armët.

 

Fillimisht viktima dhe të plagosurit kanë nisur të debatojnë me dy autorët në lokalin e tyre dhe më pas ata kanë nxjerrë armët nga një makinë që ishte i parkuar para lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të tyre, ku Arjani ndërroi jetë 15 minuta pasi mbërriti në spitalin e Traumës dhe u plagosën dy familjarët e tij.