December 3, 2024
Bota Lajmi i fundit

Një fëmijë mes të lënduarve në avionin e Singapore Airlines, mjekët: Shumica kanë nevojë për operacion në shtyllën kurrizore

Një dyvjeçar ndodhet mes 40 personave të plagosur që po marrin ndihmë mjekësore në Bangkok pasi fluturimi i Singapore Airlines, i nisur nga Londra, u përball me turmbulenca të forta.

Ndërkohë, autoritetet në vend kanë bërë të ditur se shumica e pasagjerëve që kanë mbetur të lënduar rëndë do të kenë nevojë për t’u operuar në shtyllën kurrizore.

Njëzetë persona ( nga Australia, Britania e Madhe, Hong Kongu, Malajzia, Zelanda e Re, Singapori dhe Filipinet) përfunduan në kujdes intensiv si pasojë e incidentit, ndërsa një 73-vjeçar britanik vdiq si pasojë e një ataku në zemër.

Boeing 777, i cili po udhëtonte nga Aeroporti Heathroë i Londrës në drejtim të Singaporit humbi lartësi në mënyrë drastike pasi u fut në një zonë me turbulenca, duke bërë që pasagjerët të merrnin lëndime serioze.

Boeing, prodhuesi i avionit, njoftoi se ishte në kontakt me Singapore Airlines sa i përket udhëtimit SQ321 duke shtuar se ishte gati për të mbështetur kompaninë.

Kurse, Autoriteti i Aviacionit Civil të Singaporit tha se po punon me Ministritë e Transportit dhe Punëve të Jashtme të Singaporit, zyrtarët e aeroportit Changi dhe stafin e Singapore Airlines për të mbështetur pasagjerët, ekuipazhin dhe familjet e tyre.