October 2, 2024
Kosova Lajmi i fundit

OKB njohu gjenocidin në Srebrenicë, Demiraj tregon sa i rrezikuar është rajoni nga një konflikt i mundshëm

Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm, foli në Ditarin e pasdites në A2 CNN për miratimin e rezolutës së Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai e vlerësoi këtë si një veprim shumë të rëndësishëm duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në të cilën ndodhet rajoni i Ballkanit.

“Është i rëndësishëm sepse jo vetëm është pas 29 vitesh, por duke pasur parasysh edhe situatën gjeopolitike të rajonit dhe të Europës. Kjo vjen në linjë për të kundërshtuar të gjithë politikën që po ndjek Serbia në bashkëpunim me Dodik. Politika dhe retorika e dy presidentëve ka qenë destabilizuese. Më në fund, OKB vlerësoi si gjenocid vrasjen e 8 mijë civilëve”, tha Demiraj.

Më tej, gjeneral Demiraj foli edhe për mundësitë e një konflikti në Ballkan, duke thënë se ndoshta ka ardhur koha që Vuçiç dhe qeveria e tij të sanksionohen.

“Kjo është një marrëveshje, një plan i Vuçiçit dhe Dodikut, në atë që njihet si Bota Serbe. Ne po ndjekim me shumë shqetësim situatën politike në Malin e Zi, i cili prej disa vitesh është vend anëtar i NATO-s. Nëse Dodik do ta marrë këtë vendim ka ardhur koha përfundimisht që Vuçiç duhet të sanksionohet. Vuçiç mund të jetë çdo gjë, por budalla nuk është. Ai i ka marrë të gjithë paralajmërimet”, tha Demiraj.