Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka urdhërruar sot Izraelin që të ndalojë ofensivën në Rafah.
Në vendimin e marrë pasditen e premtes, Gjykata shprehet se nuk është e bindur që evakuimi në Rafah dhe masat e tjera të marra nga Izraeli, janë të mjaftueshme për të lehtësuar vuajtjet e palestinezëve.
Teksa lexonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presidenti i trupës, Nawaf Salam tha se masat e përkohshme të urdhëruara nga gjykata në mars nuk kanë mundur të adresojnë plotësisht situatën në enklavën e rrethuar palestineze dhe sa tashmë gjykohet se janë plotësuar kushtet për të urdhëruar një gjendje të re emergjence.
Çfarë dimë për kërkesën e Afrikës së Jugut për ndalimin e ofensivës së Izraelit në Rafah?
Afrika e Jugut paraqiti një kërkesë urgjente më 10 maj për masa shtesë në çështjen e gjenocidit të ngritur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër Izraelit.
Afrika e Jugut akuzon Izraelin për përdorimin e urdhrave të evakuimit të detyruar në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për të “rrezikuar jetën e civilëve”.
Avokati për Afrikën e Jugut, profesor Max du Plessis, dënoi evakuimin e detyruar të qindra mijëra palestinezëve nga Rafah dhe përcaktimin nga ana e izraelit të “zonave humanitare”.
Masat “rrezikojnë, në vend se mbrojnë jetën e civilëve”, tha Du Plessis në një seancë dëgjimore të GJND-së në Hagë më 16 maj.
“Të ashtuquajturat ‘zona humanitare’ nuk janë të sigurta, zonat kontrollohen nga të njëjtat forca izraelite që sulmuan palestinezët”.
“Izraeli e ka sfiduar këtë gjykatë duke kapur, rrethuar dhe bombarduar Rafahun e mbipopulluar, duke përkeqësuar sigurinë e 1.5 milionë palestinezëve të cënueshëm,” shtoi ai.