Kryeministri Edi Rama thotë se shtyrja e hapjes së kampit për të pritur emigrantët në Gjadër, që ishte parashikuar me 20 maj, është një çështje që i përket shtetit italian.
I pyetur nga gazetari i “La Republica” Gerardo Greco, kreu i qeverisë shqiptare tha se “Shqipëria ofroi disponueshmëri dhe tokë, por asgjë më shumë”.
Më tej, ai tha se qendra do të jetë gati për disa muaj ndërsa shtoi se Italia mund të haset me problematika sa i takon procedurave dhe menaxhimit të emigrantëve sipas burokracive italiane dhe të BE-së.
“Qendra do të jetë gati për disa muaj gjithsesi, kjo nuk është asgjë! Por problemi do të jetë funksionimi i tij! Dhe do të jetë shumë e vështirë për procedurat: si do të menaxhoni 3000 persona në 28 ditë me burokracitë italiane dhe rregullat evropiane?”, shtoi kryeministri.
Sipas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, emigrantët do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit gjatë periudhës që kryhen procedurat për azil në Itali.