November 29, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

EMRAT/ “Ishte fshehur në një furgon me targa angleze”, kapet kokainë në portin e Durrësit, arrestohen 2 persona

Policia kufitare në portin e Durrësit ka kryer kontroll në një fugon me targa angleze, pas dyshimeve për sende të paligjshme. Bëhet me dije se nga skanimi u zbulua se furgoni i mallrave kishte të fshehura 7 pako kokainë. Mësohet se kokaina u gjet brenda fundit të dyfishtë të krijuar në këtë furgon mallrash, poshtë sediljes së shoferit. Lënda narkotike ishte paketuar në qese vakumi për mos tu kuptuar nga qentë anti-droge.

Lidhur me rastin mësohet se janë arrestuar dy persona, 38-vjeçari Arjan Doci dhe 39-vjeçari Mentor Çuni, të cilët rezultojnë të jenë kushërinj. Furgoni transportonte sende dhe pako nga komuniteti shqiptar në Angli dhe i sillte ne Shqipëri dhe ndiqte itinerarin Shqipëri-Itali-Angli.

Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e shtetit ka njoftuar homologët anglez për të marrë më shumë të dhëna se kush qëndron pas kompaninë e cila rezulton e regjistruar në Angli. Drejtoria e Policisë Kriminale mësohet se është vënë në kontakt me oficerët e britanik të NCA në Tiranë për hetime të tjera të përbashkëta, ndaj të tjerë shqiptarëve të përfshirë në këtë linjë trafiku.