December 3, 2024
Lajmi i fundit Sport

Egnatia shkruan historinë, fiton titullin kampion për herë të parë

Egnatia është shpallur kampione e Shqipërisë, pasi mundi 1-0 Partizanin në finalen e madhe të “Final 4”.

Heroi i ndeshjes për ekipin nga Rrogozhina ishte Ibrahimoglu, i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 35’.

Ndeshja rezultoi shumë e luftuar me të dyja skuadrat, që tentuan vazhdimisht të gjenin rrugën drejt rrjetës.

Në minutën e 22’ Bintsouka pati mundësinë për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar Partizanin në avantazh duke gjetur rrugën drejt rrjetës, por Taylor sinjalizoi që nuk kishte gol për shkak të prekjes së topit me dorë nga Sembene.

Atë që nuk e bënë kryeqytetasit e realizuan më së miri rrogozhinasit, me Ibrahimoglu që shënoi pas asistit të dhuruar nga Spahiu në minutën e 35’, duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke i dhënë avantazhin, por njëkohësisht edhe fitoren skuadrës së Egnatias.

Fraksioni i dytë ishte disi më i vakët sa u përket rasteve, duke bërë që në fund ndeshja të mbyllej me rezultatin 0-1.

Egnatia fitoi edhe Kupën e Shqipërisë më 14 maj, duke mundur po me rezultatin 1-0 Kukësin, duke arritur të fitojë të dyja kompeticionet.