Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij nga Milano, ku po mban një takim me shqiptarët që jetojnë e punojnë atje, nuk ka ngurruar të përmendë edhe faktin e zvarritjes, siç e quajti ai, procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, që e krahasoi me hapin e breshkës përmes kanaleve të burokracisë.
“Ndërsa Bashkimit Evropian iu desh të zvarritej mijëra vite me të ashtuquajturin zgjerim deri sa carizmi rus u shfaq duke hapur luftën e parë pushtuese pas 77 vitesh dhe duke bërë Evropën të fillojë të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë dhe jo të zgjerohet me hapin e breshkës përmes kanaleve të burokracisë.
Ju shqiptarët e Italisë nuk iu desh të ndërronit emrat e identitetet, sikurse iu ndodhi tragjikisht qindra dhe mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi për një arsye të vetme dhe të neveritshme, që e dimë që të gjithë dhe që do të mbetet një njollë turpi në historinë e Evropës demokratike, por nuk ishin të paktat rastet kur ju e ndërmorët me vullnet ndërrimin e emrave për shkak të paragjykimeve që ishin ndaj të qenurit shqiptar.”, u shpreh ndër të tjera Rama në fjalën e tij.