Nga marrëveshja me Italinë për pensionet do të përfitojnë 421 mijë persona. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me shqiptarët e Italisë në Milano.
“Falë angazhimit personal të Melonit, mike e paepur e Shqipërisë dhe zëdhënëse shumë e fortë e jona në BE, ne ia dolëm që të vendosim më në fund pas një përpjekje të gjatë por të palodhur 20-vjeçar një gur të çmuar në kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar,” deklaroi kreu i qeverisë.
Rama u kujtoi po ashtu shqiptarëve në Itali se për shumë vite me radhë me remitancat kanë mbajtur në këmbë Shqipërinë.
“Sot është radha e Shqipërisë t’ju bëjë krenarë kur flitet për dinjitetin e saj të rifituar përfundimisht europian,” shtoi kreu i qeverisë.
Gjatë fjalimit të tij, Rama u ndal edhe tek problemet e brendshme politike në Shqipëri.
“Disa gojë, nga ato që ju i njihni mirë, thoshin këto ditë që nuk duhej të vija këtu, se paskan ikur 1 milionë shqiptarë 10 vitet e fundit, është një gënjeshtër, e madhe e ligë dhe e turpshme.”
Gënjeshtra dhe ofendim për shqiptarët e Greqisë ishin, sipas Ramës, edhe pretendimet se në Athinë u nisën autobusë me njerëz nga Tirana për të mbushur sallën ku u bë takimi në kryeqytetin helen.
“E vërtetë është, kanë ikur edhe në këto 10 vite shumë shqiptarë, shumë më tepër sesa janë kthyer…Por, Shqipëria e narko-shtetit…. është një Shqipëri që ekziston në humnerën e atyre gojëve, që përndjekin tokën e fëmijëve të Shqipërisë që në 1912.”
Që prej Pavarësisë, shton kreu i qeverisë, “më të liqtë e armiqve të vet, Shqipëria i pati gjithmonë nga radhët e parisë së vet.”