December 3, 2024
Lajmi i fundit Politikë

Rama: Nga rrënjët e vjetra arbërore dolën ndër shekuj familje të mëdha e njerëz të shquar që lanë gjurmë në historinë e Italisë

Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij nga Milano, ku po mban një takim me shqiptarët që jetojnë e punojnë atje, u shpreh se, nga rrënjët e vjetra arbërore, të vendosura nga pakti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, me Mbretin e Napolit, dolën ndër shekuj familje të mëdha e njerëz të shquar që lanë gjurmë në historinë e Italisë.

“Në çdo majë province apo komune, ku krahas italianëve, shqipet shkëlqyen me talentin, me bëmat dhe me vullnetin e tyre të jashtëzakonshëm. Tamam aty në atë shteg fare të ngushtë mes atdheut që e latë pas kurrizit, duke u rendur si ai fati i Shqipërisë të ngritur nga varri dhe mes atij atdheut që ju shkeli, ju gjetët atdheun më të sigurt, vetveten. Zbuluat forcën e pandalshme për të ndjekur nga mbrapa ëndrrat tuaja.  

Përtej mitit, rrëfimi i Virgjilit na zbulon se çdo identitet e ka zanafillën me një të ardhur diku nga diku. Edhe në këtë pellgun tonë mesdhetar, ju shqiptarët e Italisë dhe ata të Greqisë jeni sot një nga shëmbëlltyrat, themelimi i një qytetërimi evropian, më i lirë, më gjithëpërfshirës sesa paraardhësit e tij grek e romak.

Heroi ynë kombëtar ishte një luftëtar besnik i Mbretit të Napolit, me të cilin e lidhte pakti që i hapi rrugë konsolidimit të një bashkësie shqiptare që nga Puglia deri në Sicili, ku ruhet në 51 komunat italiane gjuha e Arbërisë skëndërbejane. Prej atyre rrënjëve të vjetra arbërore dolën ndër shekuj familje të mëdha e njerëz të shquar që lanë gjurmë në historinë e Italisë.”, vijoi më tej Rama në fjalën e tij.