Adelina Preçit, nga Lezha, më shumë po i kushton marrja e një dokumenti që është operuar në Spitalin e Traumës se sa vetë operacionet që ka bërë apo që kërkon të bëjë.
Mosmarrja e këtij dokumenti, që i kërkohet nga mjekët kirurgë në Itali, për të vijuar kurimin, e ka dërguar Adelinën në dyert e gjykatave, për të kërkuar që të urdhërohet spitali që t’i japë kartelën klinike.
Por edhe kjo rrugë e sigurimit të kartelës së saj mjekësore iu mbyll këtë të martë në Gjykatën Administrative, duke e lënë Adelinën në mëshirë të fatit…
Emisioni investigativ Vetting në News24 ka zbuluar skandalin që ka ndodhur me pacienten që vuri proteza te Trauma. Në pjesën e mëposhtme do të lexoni mbi kalvarin e pacientes, çfarë thonë avokatët, mjekët, por edhe çfarë parashikon ligji.
Çfarë ka ndodhur me Adelina Preçin?
Adelina nuk e kupton ende se përse kartela e ndërhyrjes që ka bërë në Spitalin e Traumës, për vënien e protezave, nuk i jepet në dorë.
Çfarë thotë Adelina Preçi
Arsyeja që unë nuk mundet të ndërhyjë në Itali është sepse doktorët në Itali më kërkojnë letrat e spitalit të traumës ku unë kamë bërë ndërhyrjen. Se cila është arsyeja vetëm doktori e dinë. Mua më kërkojnë letrat në Itali për të ditur se çfarë materiale i kam protezat që i kam në kurrizin tim. Doktori që më ka operuar është Dritan Todhe. Doktorit i kërkoj letrat e spitalit që më kërkojnë që unë të kryej të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në Itali. Mua nuk më është dhen asnjë letër apo dokument, doktori flet me gojë dhe dokument nuk më jep..
Por, a duhet që Spitali i Traumës ta pajisë Adelinën me dokumentin që kërkon. Mjeku Shkëlqim Ahmetaj e konsideron problematike dhe të rëndë mos pajisjen e pacientes me kartelën e saj, për më tepër që ajo i kërkon dokumentacionin për t’ia paraqitur mjekëve italianë me qëllim që të operohet atje, pasi ndërhyrja në Spitalin e Traumës jo vetëm që nuk i ka kthyer shëndetin, por përkundrazi, ja ka rënduar atë. Për Ahmetin, dhënia e kartelës futet në të drejtat ligjore të pacientit për informim.