Ish-deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi zbuloi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV një tjetër skandal që përfshin bashkinë e Tiranës. Ai publikoi disa dokumente që tregojnë, sipas tij, pagesat që vijojnë për kompaninë “5D”, e cila kishte për pronarë ish-drejtorët e bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj dhe që u arrestuan 2 muaj më parë me urdhër të SPAK të akuzuar për shpërdorim detyre, shkelje të barazisë në tendera dhe fshehje të pasurisë.
Administratorët në hije të saj, Taulant Tusha dhe Redi Molla janë në burg, por bashkia e Tiranës vijon t’i paguajë. Bëhet fjalë për projektin e ndërtimit të pedonales dhe pistës së biçikletave në Liqenin e Thatë që duhej të përfundonte 2 vjet më parë dhe që edhe pse nuk ka përfunduar bashkia vijon ta paguajë.