Pirateria televizive vijon të mbetet një nga problematikat që Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka raportuar edhe gjatë vitit 2023 duke nënvizuar se po shihen disa modele sesi mund të kufizohet ky fenomen duke rishikuar ligjin. AMA nënvizon se ndryshimet e propozuara janë të praktikave të ngjashme në vende si Italia, Franca dhe Kroacia.
“Sqarojmë se, fenomeni i piraterisë televizive që kryhet nëpërmjet internetit, është një fenomen sa shqetësues aq dhe i komplikuar për t’u identifikuar, për arsye se në shumicën e rasteve produkti audioviziv që transmetohet abuzivisht, vjen nga servera të vendeve të ndryshme të botës dhe nuk janë të pozicionuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye, identifikimi i tyre bëhet shumë i vështirë.
Megjithatë, AMA, për vitin 2023 ka filluar një proces për ndryshime ligjore që forcojnë tagrin e institucionit në lidhje me ndërhyrjet e mundshme, që do të ndihmonin në reduktimin e këtij fenomeni shqetësues. Ndryshimet e propozuara janë bërë pas shqyrtimit të praktikave të ngjashme ligjore italiane, kroate dhe franceze”, thuhet në raportin vjetor të 2023 të AMA-s.
Ky institucion përveç piraterisë televizive vlerëson se një fenomen shqetësues është ai i transmetimit të produktit audiovizv në internet. Kjo vihet re më së shumti për filma artistik dhe evente sportive pa nt3ë drejta.
“Ndërkohë, një fenomen i ri që po haset në këtë periudhë është shtimi i numrit të operatorëve piratë që transmetojnë nëpërmjet internetit produkt audioviziv pa autorizim të AMA-s, kryesisht filma artistik dhe evente sportive pa të drejta. Për këtë fenomen, AMA, ka përcjellë pranë AKEP-it 28 praktika zyrtare, me qëllim marrjen e masave, për mbylljen e 128 faqeve online, të cilat kryenin shkelje të ligjit 97/2013, i ndryshuar.
Gjithashtu, lidhur me këtë fenomen, Drejtoria e Inspektimit dhe Mbikëqyrjes i ka kërkuar aplikacioneve dhe Video Sharing Platforms (VSP-ve-platforma te ndarjes se videove) të ndryshme, heqjen nga llogaritë e tyre të 19 linq-eve, të cilët transmetonin produkt audioviziv pa të drejta transmetimi”, nënvizon raporti.
AMA sjell në vëmendje se në lidhje me veprimtarinë inspektuese, Drejtoria e Mbikëqyrjes në AMA, gjatë vitit 2023, përmes grupeve të veta të inspektimit, ka ushtruar 332 kontrolle të aktivitetit të OSHMA-ve. Nga këto, 168 janë inspektime të kryera në bazë të ankesave dhe 164 janë kryesisht monitorime. /Monitor