October 2, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Video nga momenti i vrasjes shfaqet në seancën gjyqësore, Taulant Malaj bërtet dhe godet me kokë kafazin

Në gjykatën e Foggias në Itali është zhvilluar të premten seanca e dytë gjyqësore ndaj Taulant Malajt, 45-vjeçari shqiptar, i cili më 7 maj 2023 vrau me thikë vajzën e tij 16-vjeçare Jessica dhe fqinjin italian Massimo De Santis. Në seancë, ndërsa u shfaqën dy video nga vrasja e vajzës dhe italianit dhe plagosja e gruas së tij, Tefta Malaj.

 

Videoja e parë e shfaqur para gjyqtarëve është regjistruar nga kamerat e shtëpisë, ndërsa tjetra me celularin e Malajt. Në këtë të fundit shfaqet edhe trupi i De Santis në shkallët e pallatit. I akuzuari qëndroi në sallën e gjyqit vetëm për disa minuta. Disa sekonda pas videove (që zgjasin gjithsej 15 minuta) ai filloi të bërtiste dhe të përplaste kokën pas hekurave kafazit në sallën e gjyqit, sipas mediave italiane.

Kryetari i Gjykatës së Lartë më pas urdhëroi largimin e shqiptarit nga salla e gjyqit. Videot u shfaqën me kërkesë të prokurorëve Sabrina Cicala dhe Antonio Laronga, për të mbështetur dëshminë e një karabiniere nga njësia operative e kompanisë San Severo, ndër të parët që mbërritën në vendngjarje dhe kryen hetimet.

 

Pamjet pasqyrojnë si momentet e masakrës, të kapura nga kamerat e vendosura në shtëpi nga Tefta Malaj, ashtu edhe sjelljen e Taulant Malajt pas këtij akti të rëndë. Malaj, në fakt, ka filmuar kufomat dhe gruan e tij pasi ngjarjes. Duke pasur parasysh imazhet e rënda, Gjykata vendosi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura.

 

E pranishme në sallën e gjyqit ishte edhe bashkëshortja e tij Tefta, me avokatin Roberto de Rossi. Të pranishëm ishin edhe avokati Matteo Tenace, i cili përfaqëson familjarët e Massimo De Santis.

 

“Ishte shumë e vështirë për klienten time, video riktheu ato momente dramatike në mendjen e saj dhe qau gjatë gjithë kohëzgjatjes së videove”, komentoi avokati De Rossi. Avokati tha se Tefta Malaj kërkon drejtësi për vajzën e saj, ndërsa seanca e radhës mbahet më 7 qershor.

 

Taulant Malaj akuzohet për vrasje të dyfishtë me dashje dhe vrasje të rëndë në tentativë. Përveç vrasjes së vajzës së tij, Malaj vrau edhe fqinjin e tij Massimo De Santis sepse besonte, se gruaja e kishte tradhtuar me të.