May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

“Ka pasur ndërhyrje në TIMS”, Komisioni administron përgjigjet, Kryeministria nuk jep informacion

Jo të gjitha institucionet kanë respektuar afatet ligjore për t’iu përgjigjur Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS. Pavarësisht se të dhënat duhet t’i depozitonin në Kuvend brenda te premtes se 26 Prillit, Kryeministria, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Tiranës duket se kanë shkelur afatet.

Nuk kanë sjell informacion, kryeministria do ketë pasur punë me italianët….”, tha Ervin Salianji.

Do ua sjell kartolinën Rama, të jeni të sigurt për këtë…”, tha Toni Gogu.

Në pritje të këtyre përgjigjeve, kryetari i Komisionit Ervin Salianji lexoi të gjitha informacionet e dërguara nga autoritetet e tjera ku Policia e Shtetit pranon ndërhyrjet në sistemin e TIMS dhe se është ngritur një grup pune për të vënë para përgjegjësisë të dyshuarit.

“Drejtuesit e Policisë së Shtetit janë vënë dijeni nëpërmjet mesazheve dhe e-mail dhe është ngritur grup pune për hetim….”

Leximi i gjatë i përgjigjeve nga Salianji duket se shqetësoi socialistin Gogu, i cili foli për shpenzim të kohës pa kriter.

“Ju shpenzuat dy orë kohë, nuk lexuat përgjigjet por çdo gërmë…”

Në mungesë të plotë të informacioneve, anëtarët e Komisionit Hetimor vendosën unanimisht që plani i hetimit të shtyhet për të martën e javës së ardhshme, duke u dhënë kohë dhe ekspertëve që të studiojnë përgjigjet e institucioneve.