Për herë të parë, këtë sezon turistik, qytetarëve që do të kenë nevojë për kujdes të shtuar mjekësor, do t’u vijnë në ndihmë motoambulancat. Kjo është një zgjidhje, nga Ministria e Shëndetësisë, për të shmangur trafikun e rënduar gjatë verës, në mënyrë që koha e marrjes së ndihmës së parë në raste urgjencash të jetë sa më e shkurtës. Ka qenë vetë ministrja e shëndetësisë, Albana Koçiu e cila konfirmoi këtë zhvillim gjatë fjalës së saj në Konferencën “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”.
“Sa i përket këtyre qendrave sezonale, gjithashtu kemi marrë një tjetër masë të rëndësishme, duke zgjatur kohën e ofrimit të shërbimit me një muaj, nga 1 qershori në 30 shtator”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë duke bërë me dije se ka nisur puna edhe për rekrutimin e stafit mjekësor dhe gjithë kapaciteteve shtesë që do të jenë në dispozicion të pushuesve 24/7.
Nga ana tjetër, këtë sezon turistik do të jenë të hapura 34 qendra shëndetësore verore, nga të cilat në veri të vendit do të funksionojnë 10 qendra, në Shqipërinë e Mesme 9 qendra shëndetësore dhe në zonën e jugut 15 të tjera.
“Duke filluar nga data 1 qershor, për të përballuar fluksin e shtuar të turisteve, do të hapim 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë”, nënvizoi ajo.
Më tej, ministrja u ndal edhe në procesin e dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, që ka nisur tashmë nga zona e Liqenit të Shkodrës dhe do të mbuloje 25% më shumë territor këtë vit.
Gjithashtu, vijoi ministrja, nëpërmjet Inspektoriatit Shëndetësor kemi marrë masa për të garantuar inspektimin periodik higjeno-sanitar të plazheve, pishinave apo akuaparqeve, për të siguruar standardet më të larta të pastërtisë dhe cilësisë.