October 2, 2024
Politikë

Berisha: Nesër është dita në të cilën Erion Veliaj kapet për zverku dhe dërgohet në burgun 313

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në protestë, nesër në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës. Sipas tij, nesër do jetë dita kur Erion Veliaj, i marrë në pyetje nga SPAK për aferën e Inceneratorëve, do të shkojë në burgun 313.

“Nesër mbarë Shqipëria, kombi shqiptar kudo që ndodhet, ka sytë, mendjen dhe zemrën tek veprimi juaj, zemërimi juaj, fitorja juaj në Bashkinë e Tiranës. Nesër shqiptarët presin që qytetarët e Tiranës të dëshmojnë shqiptarizmin e tyre. Presin të faktojnë veten si europianë të vërtetë.

Presin që me zemërimin e tyre të çlirojnë Bashkinë e Tiranës, shtëpinë e parë të kryeqytetit nga një bandë hajnash pa asnjë moral, që aplikojnë modelin e vjedhjes 100 përqind të parave të taksapaguesve të Tiranës. Të dashur miq, nesër është dita e qytetarit. Është dita e luftëtarëve të lirisë. Është dita në të cilën Erion Veliaj kapet për zverku dhe dërgohet në 313-ën. Nesër është dita që qytetarët marrin në dorë fatin e tyre, fatin e bashkisë, fatin e Tiranës, fatin e Shqipërisë”, tha Berisha.

Opozita prej disa javësh i ka shndërruar protestat përpara Bashkisë si qendër të aksionit të saj opozitar, ku kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut.