October 2, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

“Alma Arrazi nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor”, mjeku hedh poshtë zërat

Neuropsikiatri Gjon Preçi ka hedhur poshtë zërat se Alma Arrazi, e cila i dha fund jetës, disa ditë më parë, së bashku me 3 fëmijët e saj, ka pasur probleme të shëndetit mendor. Në një deklaratë për mediat, ai thotë se para dy vitesh ajo ka marrë shërbim për çrregullim të humorit dhe ankth, por ai nuk e mban mend si paciente.

“Interesimit të mediave dhe publikut i jam përgjigjur duke thënë se me kalimin e kohës kanë dalë të dhëna plotësuese. Nuk ka qenë paciente me probleme të shëndetit mendor. Para pak vitesh ka marrë shërbim për çrregullim të humorit me ankth. Nuk ka qenë paciente me probleme madhore psikiatrike se po të ishte e tillë do të ndiqej nga ne, do të kishte kartelë dhe do të trajtohej. Ajo ka marrë një shërbim për një problem të caktuar siç mund të marrë çdokush dhe nuk ka qenë paciente kronike me probleme madhore të shëndetit mendor. Patjetër që ka gjithmonë zhvillime të papritura, por dy vjet më përpara që kam pasur një kontakt më të, nuk e di se si janë zhvilluar gjërat tek ajo dhe nuk është konfirmuar nga shërbimet tona se mund të ketë pasur probleme që e kanë çuar drejt atij vendimi. Para dy vitesh ka marrë shërbimin e fundit dhe këtë ma kanë kujtuar familjarët, sepse unë nuk e mbaj mend si paciente”.

Sipas tij, mjekimi që ka marrë viktima para dy vitesh nuk ka qenë i karakterit kronik dhe nuk presupozohet se ka qenë me një paaftësi të rëndë rreziku për veten apo të tjerët.

“Mjekimi që ka pasur nuk ka qenë i karakterit të një sëmundshmërie kronike. Duhet që të kalojë një periudhë e caktuar që një person të quhet kronik. Nëse ka ankth, pagjumësi apo të tjera si këto dhe fakton se ka një recetë nuk presupozohet se ka qenë me një paaftësi të rëndë rreziku për veten apo të tjerët. Në gjithë botën tentohet t’i fshihet dokumentacioni zyrtar për një shërbim të caktuar kur nuk është kronik, kjo edhe nga rreziku i stigmatizimit në shoqëri ku mund t’i thonë ik se je i marrë, apo e marrë. 50% apo 60% e rasteve nuk dokumentohen në gjithë botën dhe kjo është statistikë. Ne i regjistrojmë në raste të tjera kur kërkojnë të punësohen, për një biznes apo kërkesa të tjera atëherë ne i themi prit se ka këtë kusht. Natyrisht që palët paraqesin në gjykatë dokumente që mendojnë se vlejnë. Kam pasur një telefonatë nga prokurori dhe i kam thënë më jep kohë sa ta sqaroj dhe në bisedat me stafin tim nuk është konfirmuar si person i regjistruar dhe i trajtuar nga ana jonë dhe ia kam dhënë këtë përgjigje”, deklaroi shefi i shërbimit të psikiatrisë komunitare Shkodër, Gjon Preçi.

Alma Arrazi do të përcillet sot në orën 12:00 për në banesën e fundit. Ajo do të prehet në varrezat e reja të Durrësit, pasi trupi i pajetë do të vijë nga morgu i Tiranës.

39-vjeçarja u gjet një ditë më parë nga palombarët pas dy kërkimesh në lumin Buna. Palombarët e kanë lokalizuar trupin e saj në afërsi të fshatit Pentar, në vendin e quajtur “Shkalla e Belnit”. Më herët, gjatë ditës së djeshme u gjet edhe trupi i djalit të saj 3-vjeçar, ndërsa të dielën dhe të hënë u gjetën trupat e vajzave të saj të mitura.

Të tre fëmijët janë mbytur në lumë bashkë me nënën e tyre, që dyshohet të jetë hedhur vetë nga Ura e Bunës. Për ngjarjen, policia ka arrestuar babain e tre të miturve, Erdgys Arrazi, i cili akuzohet se me dhunën psikologjike që ka ushtruar ndaj bashkëshortes, e ka shtyrë drejt vetëvrasjes.