May 27, 2024
Politikë

Do të ketë një “17 maj” të dytë për “super-komisionin”? Basha: Barra e provës te Rama, t’i japë fund embargos ndaj nismave të PD

“Partia Socialistë të lërë mënjanë taktikat paraelektorale dhe të fokusohet tek veprat konkrete.” Ky ishte qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha kur u pyet nga gazetarët për Komisionin e Posaçëm të propozuar nga shumica qeverisëse.

Basha theksoi se nëse nuk sillen në Parlament aktet e propozuar nga partia e tij, si vettingu i politikanëve dhe heqja e imunitetit të ligjvënësve, iniciativat e PS-së mbeten vetëm fjalë, duke nënkuptuar se ai nuk mund të bashkëpunojë me PS nëse nuk plotësohen kushtet e tij.

“Nëse Rama ka vullnet…kjo është manovër elektorale, është barra e provës tek ai për t’i dhënë fund embargos së akteve të PD, për t’i sjellë në Kuvend, për t’i votuar siç i ka hije një parlamenti.”

I pyetur për qëndrimin pozitiv që ndërkombëtarët kanë mbajtur ndaj iniciativës së PS për një Komision të Posaçëm antikorrupsion, kreu i PD tha se e përshëndet qëndrimin e ambasadës amerikane.

“Deklaratat e ndërkombëtarëve, i shoh si mbështetje të plotë ndaj PD. Ne, jemi të vetmit që kemi ndërmarrë akte konkrete. Propozime të tilla kërkojnë bashkëpunim mbi partizan.”

Sipas kreut të PD-së, mazhoranca në këto 11 vite e gjysmë të qeverisjes e ka treguar se nuk mund të ofrojë zgjidhje, pasi siç u shpreh ai, është vetë problemi.