Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim dosjen e radhës ndaj Florjan Gjergjit, i akuzuar për skemën e mashtrimit të biznesmenëve të ndryshëm në emër të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Gjergji është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga prokuroria e Tiranës, ndërsa për të janë në fuqi disa masa “arresti me burg”.
Ndaj tij, janë duke u zhvilluar edhe dy procese gjyqësore po për skema mashtrimi. Gjergji dyshohet edhe si organizatori i rastit të fundit ku një biznesmeni nga Librazhdi iu morën 100 mijë euro në emër të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla.
Në rastet e tjera, Florjan Gjergji është hequr si zyrtar i lartë, për t’i marrë biznesmenëve shuma të mëdha parash.
Emri i tij del në operacionin ku u tentua që t’i merreshin 130 mijë euro biznesmenit Pëllumb Salillari dhe një tjetër i ndodhur më 17 maj 2023 kur u përmend emri i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me qëllim që përmes mashtrimit një biznesmeni në Tiranë t’i merrej shuma prej 70 mijë eurosh.
Grupi i mashtruesve ku Gjergji bën pjesë dyshohet se ka përdorur në një tjetër rast emrin e ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame për t’iu marrë para biznesmenëve.