Një festë e quajtur “BajramParty” e planifikuar të mbahej me 13 prill në Zvicër ku do performonin emra të njohur të estradës shqiptare nuk ka mundur të realizohet. Kjo për shkak se policia zvicerane ka hyrë brenda për kontroll dhe ka shoqëruar në komisariat këngëtarë të njohur të skenës muzikore, si Sinan Vllasaliu, Soni Malaj dhe reperi Don Phenom.
Në ketë mbrëmje ishte paraparë që të këndonte edhe këngëtari, Labinot Rexha. Ai për Gazetën Insajderi ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Sipas tij gjatë kontrollit ku u arrestuan këngëtarët e përmendur më sipër, ishin të pranishëm afro 150 policë. Rexha ka treguar se ka nënshtetësi zvicerane prandaj për të policia nuk ka paraqitur problem.
“Kam nënshtetësi zvicerane, ka qenë një kontroll e përgjithshme e policisë së Zvicrës edhe në klube të tjera. Pas orës 23:00 ka hyrë kontrolla. Kur kam dal jashtë kam pa afro 150 policë që kontrollonin. Më kontrolluan edhe mu, unë kam të drejtë të punës. Të Tjerët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu, ata i kanë marrë mbajtur për 48 orë së bashku. Diskoteka është duke vazhdu me punë“, tha Rexha.
Siç tregoi ai arsyeja e ndalimit ishte se kolegët e tij i kanë përdorur vizat turistike për të punuar, ndërsa nuk lejohet pasi mund të ndëshkohen me ndalesë për 10 vjet që të shkojnë në Zvicër për të performuar.
“Ata që po mendojnë liberalizimi i vizave është edhe me punu janë gabim. Nuk ke drejtë me punu në Zvicër. Aty duhet një muaj më parë të merrni leje për vizë punë dhe ta paguani tatimin. Nëse hasin në kontroll ata më nuk kanë drejtë të performojnë edhe për 10 vite tjera“, tha ai.