May 1, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Kryemadhi reagon për Metën: Më ka sulmuar si politikane, jo si gruan e tij

Monika Kryemadhi ka reaguar pas deklaratave të Ilir Metës për luftën kundër nepotizmit në parti. Nga oborri i Kuvendit, deputetja e Partisë së Lirisë tha se meritokracinë nuk e mbyt dot nepotizmi në parti. E pyetur nëse ndihet e sulmuar nga Meta, Kryemadhi tha se kryetari i PL e ka sulmuar si politikane dhe jo si gruan e tij.

 

“Mendoj që meritokracinë në një parti politike nuk e mbyt dot nepotizmi. Nepotizmi është për institucionet shtetërore kur emëron, ndërsa deputeti zgjidhet me vota. Mund të të emërojë Ilir Meta deputet, por problemi është që nuk të zgjedhin njerëzit me vota. Më shumë seç më ka sulmuar Edi Rama dhe Erion Veliaj pse nuk ju dhimbset kjo juve? Bashkëshorti nuk më ka sulmuar si bashkëshorte, më ka sulmuar si politikane. Keq ju ka ardhur juve që Veliaj ka paditur në SPAK mamanë time dhe fëmijët e mi”.

 

Por Kryemadhi ishte dakord me Metën për deklaratat që ai ka bërë ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.

 

“Në çdo fjalë që Ilir Meta ka thënë për kapjen e drejtësie nga qeveria jam shumë dakord për mënyrën mendoj. E them përsëri vjen revolta, sepse njerëzit edhe revoltohen. Vazhdoj të mendoj se SPAK është një vegël e Edi Ramës dhe beteja jonë nuk është me SPAK-un.