October 9, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Molotovi te Bashkia, SHBA: Jetike të kërkosh veprim kundër korrupsionit, por nuk ka vend për dhunë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka dënuar veprimet e dhunshme gjatë protestës së Aleancës për Teatrin dhe grupit të Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës.

“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e ambasadës në Facebook.

Për atë që ndodhi të premten paradite reagoi edhe delegacioni i BE në Shqipëri. “Na vjen shumë keq për dhunën gjatë protestës në qendër të Tiranës sot, gjatë së cilës u hodhën edhe mjete zjarrvënëse të improvizuara drejt godinës së bashkisë”, thuhet në reagimin e BE. “Këto veprime nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore”.

Gjatë protestës të premten paradite, ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, protestuesit, të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Rithemelimit, u përplasën me efektivët e policisë si dhe hodhën koktej molotov.

Protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe akuzojnë SPAK-un se po e mbron. Kjo nuk është hera e parë që opozita, pjesa e Rithemelimit ka protestuar në derën e Bashkisë. Ky aksion i tyre ka nisur pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.