Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar pas protestës së mbajtur në dyert e Bashkisë së Tiranës nga Aleanca për Teatrin dhe grupimi i Rithemelimit në Partinë Demokratike.
“Na vjen shumë keq për dhunën gjatë protestës në qendër të Tiranës sot, gjatë së cilës u hodhën edhe mjete zjarrvënëse të improvizuara drejt godinës së bashkisë”, thuhet në reagimin e BE. “Këto veprime nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore”.
Gjatë protestës të premten paradite, ku u kërkua dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj, protestuesit, të mbështetur edhe nga deputetë të Partisë Demokratike të Rithemelimit, u përplasën me efektivët e policisë si dhe hodhën koktej molotov.
Protestuesit kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe akuzojnë SPAK-un se po e mbron. Kjo nuk është hera e parë që opozita, pjesa e Rithemelimit ka protestuar në derën e Bashkisë. Ky aksion i tyre ka nisur pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni për abuzim me detyrën për dosjen ‘5D’.