Mediat amerikane raportojnë se një burrë i ka vendosur flakën vetes jashtë gjykatës në Manhattan, ku po zhvillohet gjyqi për ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Nuk dihet ende se cilat ishin motivet që çuan Maxwell Azzarello drejt aktit të rëndë.
37-vjeçari u pa duke hedhur pamflete në ajër disa momente përpara se të lante veten me benzinë dhe të merrte një çakmak duke e afruar te rrobat e tij pranë gjykatës penale të Manhatanit.
Incidenti ka ndodhur në një park të vogël, vetëm 10 metra larg gjykatës, ku po zhvillohet seanca për çështjen e pagesës së Trump për yllin pornografik Stormy Daniels, për ta penguar atë të fliste për marrëdhënien e tyre përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.
Videot nga dëshmitarët okularë të incidentit tregojnë burrin të ulur në tokë dhe të përfshirë nga flakët. Mbetet e paqartë nëse protesta ishte në mbështetje apo kundër ish-presidentit.
Disa persona dhe policia shkuan në vendngjarje me mjete zjarrfikëse dhe batanije për të shuar zjarrin, por burri ka pësuar djegie të mëdha.