May 1, 2024
Tirana, Albania
Bota Lajmi i fundit

Izraeli lëshon “harabelin blu” në Iran, Teherani: Do të kundërpërgjigjemi ndaj çdo provokimi

Situata në Lindjen e Mesme po i afrohet pikës së vlimit. Një bazë ushtarake e trupave pro Iranit, u bombardua në Irak, me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve. Por teksa vëmendja kthehet nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara nxitojnë te theksojnë se Tel Avivi nuk është i përfshirë në sulm. Sakaq më herët, në shënjestër të sulmeve u vu edhe një sistem radarësh të mbrojtjes ajrore në rajonin e Isfahan në Iran, që mbron kompleksin bërthamor të Natanz. Sipas zyrtarëve të cituar nga mediat amerikane, në zonë ishte lëshuar një raketë izraelite, e ashtuquajtur “harabeli blu”.

 

Mediat në Teheran po përpiqen ta minimizojnë sulmin ndërsa ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian ironizoi se armatimet e përdorura ishin si lodra fëmijësh. Megjithatë ai u kujdes të paralajmëronte Izraelin, se nëse do të ndërmerrte veprime të vendosura kundër Iranit, përgjigjja do të ishte e menjëhershme dhe maksimale.

 

Ngjarja ndodh pas disa javësh tensione të larta mes dy vendeve rivale, ku Izraeli sulmoi një konsullatën iraniane në Siri, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me një sulm të paprecedentë kundër izraelit. Qeveria izraelit nuk ka komentuar ende zyrtarisht, por hezitimi i Iranit për të drejtuar gishtin me vendosmëri kundër Tel Avivit, pas sulmit të fundit, ka rritur shpresat se një konflikt i gjerë në Lindjen e Mesme mund të evitohet.