November 27, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Një javë i zhdukur, gjyshja dorëzon në polici 3-vjeçarin

Është dorëzuar në Prokurorinë e Durrësit 3-vjeçari i zhdukur prej më shumë se një jave. Dorëzimi u bë nga gjyshja e 3-vjeçarit pas presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave. Sipas Policisë, 3-vjeçari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pas dorëzimit u mor nga nëna e tij.

 

Të shtunën e 13 prillit, 3-vjeçari u mor nga gjyshërit e tij Rexhep dhe Bahrije Gjuni, të cilët nuk pranuan t’ia kthenin më të ëmës, e cila jetonte në shtëpinë e të atit pas vdekjes së bashkëshortit të saj.

 

Pas denoncimit të nënës së 3-vjeçarit janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

 

Për këtë ngjarje janë arrestuar shtetasit gjyshi i të miturit dhe vëllai i gjyshes, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

Njoftimi i Policisë Durrës

 

Komisariati i Policisë Durrës ka vijuar punën kërkimore dhe hetimore, për gjetjen e 3-vjeçarit dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, për të cilën deri tani janë arrestuar shtetasit R. Gj. (gjyshi) dhe A. S. (vëllai i gjyshes), të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin e 3-vjeçarit.

 

Në këtë kuadër janë kryer një tërësi veprimesh hetimore dhe kontrolle të shumta në Durrës, Has, Kukës dhe Tiranë.

 

Si rezultat i presionit policor, kërkimeve të shumta dhe negociatave, sot është vetëdorëzuar shtetasja B. Gj., së bashku me nipin e saj 3-vjeçar, të cilin e mori nëna e tij, në gjendje të mirë shëndetësore.

 

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.