May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Meta sulmon Dumanin nga Shkodra: Është zëdhënës politik, nuk i druhem arrestimit

Nga Shkodra ku zhvilloi takime me strukturat e Partisë së Lirisë dhe qytetarë, Ilir Meta sulmoi sërish kreun e SPAK, Altin Dumanin. Sipas Metës, Dumani është kthyer në zëdhënës politik.

I pyetur nëse ndjehet i izoluar nga ndërkombëtarët pas sulmeve që ka bërë në adresë të kreut të SPAK, kreu i PL deklaroi se është i lodhur nga takimet me të huajt.

“Nuk bëj asnjë lloj presioni. Unë them të vërteta, aq më tepër t’i frikësohem arrestimit nga një prokuror që është kthyer në një zëdhënës politik të Engjëll Agaçit, të cilin duhet ta kishte arrestuar për inceneratorët, të Edi Ramës sërish për këtë aferë, që duhet të kishte arrestuar Veliajn. Një prokuror që kërcënoi Arben Ahmetajn kur tha disa të vërteta, në vend që t’i kishte ofruar marrëveshje bashkëpunimi për të treguar të gjithë korrupsionin e bërë nga shefi i tij. Ilir Meta është pak i lodhur nga takimet me ndërkombëtarët pasi që 30 vjeç i ka thënë Bill Klinton, burrë shteti”, tha Meta nga Shkodra.