May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

‘ATACMS’ në Ukrainë, SHBA i dha Kievit raketa me rreze të gjatë veprimi

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar në mënyrë të fshehtë raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë. Raketat e rrezikshme ‘ATACMS’ janë përdorur nga Ukraina në dy raste, citojnë burime për Reuters. Kievi e ka përdorur tashmë armën për të goditur thellë pas linjave ruse.

Raketat ishin pjesë e një pakete ndihme ushtarake prej 300 milionë dollarësh për Ukrainën, të cilën presidenti amerikan Joe Biden e miratoi më 12 mars, tha zyrtari amerikan për Reuters. Pentagoni fillimisht e kundërshtoi vendosjen e raketave me rreze të gjatë, nga frika se humbja e raketave nga rezervat amerikane do të dëmtonte gatishmërinë ushtarake të SHBA.

Kishte gjithashtu shqetësime se Ukraina do t’i përdorte ato për të sulmuar objektiva thellë brenda Rusisë. Përdorimi nga Rusia i raketave balistike me rreze të gjatë veprimi të furnizuar nga Koreja e Veriut kundër Ukrainës në dhjetor dhe janar, pavarësisht paralajmërimeve publike dhe private të SHBA për të mos e bërë këtë, ishte faktori kyç i cili çoi në një ndryshim qëndrimi nga ana e SHBA, tha zyrtari amerikan për Reuters.