Me shkresën e firmosur nga 44 deputetë të opozitës, Gazment Bardhi paditi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Parlamentit për të mos dërguar përpara gjyqtarëve mandatin e Olta Xhaçkës.
Padia e re, e dyta për të njëjtën çështje, tashmë i kërkon gjyqtarëve që të shprehen në mënyrë të qartë si edhe të evidentojë nëse votimi kundër një vendimi kushtetues përbën vepër penale për deputetët.
“Është në nderin e kësaj gjykate, që pa asnjë vonesë të mëtejshme, pa i zgjatur procedurat me muaj të tërë, do të duhet të mblidhet me urgjencë për të rivendosur në vend dinjitetin e përdhosur nga shumica parlamentare.”
Vendimin e Kuvendit, që refuzoi ta dërgonte çështjen për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, opozita e lexon jo vetëm si mbrojtje politike për Xhaçkën, por edhe si një mesazh ndaj hetimit të nisur nga SPAK për përvetësimin të 11 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Dhërmiut, prona në të cilën bashkëshorti i deputetes socialiste do të kryente investimin strategjik.
“Të grabisësh 11 mijë metër katrorë tokë dhe të mos lejosh gjykatën kushtetuese të shqyrtojë, do të thotë t’i japësh mbrojtje politike nga drejtësia një bashkëpunëtori tënd.”
Që nga momenti i votimit në seancë plenare Lulzim Basha ka deklaruar se vendi është ne krize kushtetuese, dhe se mekanizimi i zgjidhjes institucionale nuk funksionon.
“Unë di që e vetmja rrugë për të zgjidhur krizat kushtetuese, apo cenimin e Kushtetutës është kjo derë. Kush kërkon të varros çështjet dhe t’i bashkohet aksionit të Edi Ramës për t’i dhënë mbrojtje politike Edi Ramës, mund të shkojë te byrektorja e kolegut Basha.”
Pas padisë së opozitës, Gjykata Kushtetuese do të përballet edhe njëherë me çështjen e legjitimitetit të mandatit parlamentar të Olta Xhaçkës, e cila që prej korrikut 2022 akuzohet për konflikt interesi nga opozita.