May 27, 2024
Lifestyle

Të moshuarit ndajnë këshilla: Si t’i shpëtoni vetmisë

Gjasat për presion të lartë gjaku, depresion dhe madje për t’u përballur me vdekje të hershme rriten më shumë nëse jeni të vetmuar.

 

Sipas studimeve të shumta të kryera, vetmia mund të shihet si sëmundje që ndryshon funksionin dhe strukturën e trurit.

 

Një ekip studiuesish në Universitetin e Kalifornisë kanë intervistuar 30 të rritur mes moshës 65 dhe 92 vjeç për të gjetur “ilaçin” kundër vetmisë.

 

Intervistat u kryen në një komunitet në San Diego. Aty gjenden thuajse 300 njësi banimi, një fushë tenisi, një fushë e vogël golfi dhe parcela të ndara ku mund të mbillen bimë.

 

Për banorët organizohen shpesh kurse qepjeje me dorë ose makinë, lojëra me letra si dhe shfaqje teatrale.

 

Nga intervistat me pjesëmarrësit, studiuesit mësuan se me kalimin e moshës, ndjenja e vetmisë kishte më shumë impakt tek ta. Vdekjet e partnerëve, të afërmve janë të vështira teksa pjesëmarrësit komentuan po ashtu sesi humbja e lëvizshmërisë kufizoi aktivitetet e tyre sociale.

 

Aftësitë sociale u identifikuan gjithashtu si një faktor rreziku: një pjesëmarrës theksoi se personave që u mungojnë aftësi të forta sociale mund të kenë më shumë gjasa të vuajnë nga vetmia.

 

Por, shumë prej të intervistuarve treguan po ashtu edhe strategjitë që ata kanë përdorur gjatë jetës për t’iu shmangur vetmisë.

 

Megjithëse plakja ishte një faktor rreziku, pranimi i plakjes kishte rezultate më pozitive. Siç tha një pjesëmarrës: “Kam ngjitur male…Nëse nuk mund të eci më, do të zvarritem. Duhet të mësoni si te jeni realistë dhe të mos mendoni gjatë. E di që po plakem, por e konsideroj jetën një tranzicion.”

 

Dhembshuria ishte gjithashtu e dobishme: të qenit proaktiv për të ndihmuar të tjerët, për shembull, ndihmoi disa pjesëmarrës të parandalonin vetminë.

 

Spiritualiteti u shfaq gjithashtu si një tipar potencialisht mbrojtës: disa të moshuar, besimi i ndihmoi të kalonin humbjet e njerëzve të dashur, dhe pjesëmarrja në ceremonitë fetare brenda komunitetit gjithashtu u siguroi atyre lidhje të forta shoqërore.