May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

“Gati armët bërthamore”, Macron: Vigjilent kundër kërcënimeve nga Rusia

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se është i gatshëm të diskutojë përdorimin e kokave bërthamore franceze, si pjesë e “mbrojtjes europiane” kundër kërcënimeve nga Rusia. Deklaratën e tij, Macron e bëri për mediat rajonale franceze.

“Mbrojtja e besueshme europiane duhet të shkojë përtej mbrojtjes së ofruar tashmë nga NATO. Kjo mund të nënkuptojë vendosjen e mburojave bërthamore kundër raketave ruse, por duhet të jemi të sigurt se ato bllokojnë të gjitha raketat dhe pengojnë përdorimin e armëve bërthamore”, tha presidenti francez.

Deklarata e Macron u përball me kritika të mëdha nga kundërshtarët e tij politik. Sipas tyre, reagimet e kreut të Elize vijnë në momentin e gabuar, kur Europa do të shkojë në zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Doktrina e Francës përcakton qartë, se kur duhet të përdoren, vetëm në rast të një kërcënimi ekzistencial për Francën, por Macron është i hapur që doktrinës franceze t’i japë një dimension të ri.

“Franca do të ruajë specifikat e saj, por është e gatshme të kontribuojë më shumë në mbrojtjen e tokës europiane. Unë jam në favor të hapjes së këtij debati, i cili duhet të përfshijë mbrojtjen raketore, armë me rreze të gjatë dhe armë bërthamore për ata që i kanë ato ose që kanë armë bërthamore amerikane në tokën e tyre”, shtoi Macron.

Franca, ka rreth 300 koka bërthamore dhe është e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Europian.

Presidenti francez, javët e fundit, ka mbajtur një qëndrim gjithnjë e më të ashpër kundër Rusisë, lidhur me pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës dhe nuk është hera e parë që ai sugjeron përdorimin e armëve bërthamore të Francës për mbrojtjen e BE-së.