May 13, 2024
Tirana, Albania
Aktualitet Lajmi i fundit

Komisioni Hetimor për ndërhyrjet në TIMS, zbardhet përgjigja e Policisë së Shtetit

Është zbardhur përgjigja e Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë, drejtuar komisionit hetimor të TIMS pas kërkesës për informacion. Në përgjigje të tyre thuhet se janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit.

PËRGJIGJA:

Nga grupi i  punës është konstatuar se duke filluar nga orët e pasdites të datës 2.08.2023 dhe deri në orët e para të mëngjesit në godinën e departamentit të teknologjisë së informacionit janë parë lëvizje të shpeshta të Ervin Muçës, një pjesë e punonjësve të stafit dhe personave të tjerë jashtë kësaj strukture.

Janë konstatuar një sërë shkeljesh që bëjnë përgjegjës drejtuesin e departamentit të teknologjisë dhe informacionit.

1. Shkelja e procedurave standarde për hyrjen në godinën në Policinë e Shtetit

2. Mos njoftimi i eprorëve për hyrjen e personave të paautorizuar duke u ekspozuar atyre detaje apo infrastrukturën e rrjetit të brendshëm të policisë së shtetit që përbën shkelje.

3.Përdorimi i kodit Check in të punonjëses pa dijeninë e saj për të hyrë në ambientet e godinës në pa ndonjë arsye bindëse me persona të tjerët të paautorizuar dhe në orët e vona të natës

4. Mosrealizimin e detyrimeve nga Ervin Muça për përmirësimin e akteve sipas strukturës së re dhe afateve të caktuara në programin e punës.

Kryetari i Komisionit Hetimor për ndërhyrjet në sistemin e TIMS, Ervin Salianji gjatë fjalës së tij në nisje të mbledhjes së ditës së sotme zbuloi institucionet që i janë përgjigjur kërkesave për informacion. Salianji u shpreh se një institucion si Policia e Shtetit, i ka tejkaluar afatet ligjore të kthimit të përgjigjeve. Gjithashtu deri më tani 3 institucione ende nuk kanë depozituar përgjigjes, Kryeministria, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Tiranës. Për opozitën kjo është një përpjekje për të zvarritur punën e komisionit hetimor, ndërsa Salianji me ironi tha Kryeministri ka qenë i zënë duke zgjidhur problemet në Itali, referuar emisionit të RAI për Shqipërinë.