May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Rama thirrje të rinjve që punojnë jashtë: Pse rrini atje? Këtu do të jenë pagat më të mira në rajon!

Mesditën e kësaj të hënë, në Tiranë u mbajt konferenca “Për sigurinë e turizmit në Shqipëri”, konferencë, e cila ka bërë bashkë kryeministrin, ministrat e kabinetit qeveritar dhe krybashkiakët për të prezantuar planin për mbarëvajtjen e turizmit. Në fjalën e tij, kryeministri Rama  e vuri theksin edhe tek ofrimi i cilësisë jo vetëm tek numrat.

“Sot kemi hyrë në ‘Champions League’ e turizmit Mesdhetar, në kampionatin e konkurencës së turizmit. Ky është sa moment historik por dhe sfidash. Se kemi hyrë por duhet të mbetemi. Italia, Franca, Spanja, Greqia nuk bien nga Champion. Ne nuk e kemi të konsoliduar pozicionin tonë. E jo vetëm që duhet ta konsolidojmë por dhe të jemi çdo vit e më shumë më konsolidues”, tha ndër të tjera Rama, i cili kishte dhe një thirrje të rinjve që punojnë në hoteleri në vendet e Mesdheut

“Çfarë kërkoni atje, pse rrini atje? Të gjithë hotelet janë vende të lira dhe kanë nevojë të madhe për punonjës të kualifikuar. Do të ketë pagat më të mira në rajon për turizmin”, tha Rama.

“Në muajin maj do të hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës”, kështu u shpreh kryeministri Rama, i cili shtoi gjithashtu se, ky aeroport do t’i shërbejë të gjithë zonës së jugut, ndërsa korriku hapet edhe segmenti Thumanë-Kashar.

“Në korrik në gusht në vijim s’do kalojnë më andej nga kaloni vazhdimisht. Do kenë të hapur segmentin Thumanë-Kashar me standarde të tjera si pjesë e korridorit blu. Në maj hapim garën për aeroportin e Gjirokastrës, që do i shpërbejë të gjithë zonës së jugut”, tha Rama.

Balla: Gati plani i masave për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla thotë se për shkak të fluksit, do duhet të shtohen edhe 100 punonjës Policie në aeroportin e Rinasit. Në një aktivitet për sigurinë në turizëm, Balla u ndal edhe në shifra duke thënë se Rinasi raporton 900 mijë pasagjerë më shumë se viti i kaluar.

“Aeroporti “Nënë Tereza”, porta më e madhe hyrëse e turistëve në Shqipëri gjatë 3 mujorit të parë të 2024 ka pritur rreth 900.000 pasagjerë më shumë se vitin e kaluar. Shifra do shkojë përtej çdo pritshmërie apo parashikimi. Bashkë me policinë do na duhet të shtojmë edhe 100 punonjës të tjerë policie me qëllim përballimin e fluksit. E nisa fjalën me këto shifra nga Rinasi, pro në fakt i njëjti trend rritje raportohet në pikat e kalimit kufitar. Shifrat e 4 muajve të parë të 2024 shërbejnë për të treguar se turizmi në Shqipëri po bëhet vjetor dhe ky është një fakt i pakundërshtueshëm”, vijoi Balla.

Balla theksoi se Policia ka gati një plan masash për sigurinë e turistëve që do shtrihet në gjithë vendin. Balla tha se do të shtohen edhe gjashtë stacione policie shtesë në zonat më të frekuentuara, si Thethi, Valbona, Ksamil, Tale. Në Koman do ketë njësi shërbimi 24 orë.

Kumbaro thirrje operatorëve të turizmit detar: Aplikoni për licencë ose u bllokojmë aktivitetin!

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në krye të fjalës së saj u shpreh se referuar shifrave të tre muajve të fundit, 1 në 5 njerëz në Shqipëri ka qenë shtetas i huaj e po ashtu kontratat e konfirmuara nga sektori privat që tregojnë për 30% më shumë se vitin që shkoi, flasin për pritshmëri të larta në flukse turistike.

“Prandaj garantimi i sigurisë është një përgjegjësi e lartë, veçanërisht në bregdet në muajt e pikut të sezonit turistik veror”, tha Kumbaro.

Përpos porosive për mbarëvajtjen e sezonit turistik në bregdet, ministrja Kumbaro shtoi se vitin e shkuar 4.5 milionë turistë vizituan Zonat e Mbrojtura dhe këtu theksoi se është shumë e rëndësishme siguria gjatë eksplorimit të terreneve malore, duke kërkuar shërbimin e guidave lokale për të shmangur incidentet.

Ministrja Koçiu: Hapim 34 Qendra Shëndetësore gjatë sezonit turistik, për herë të parë do shërbejnë edhe motoambulanca!

Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu thotë se 24 Qendra Shëndetësore sezonale do të shërbejnë përgjatë sezonit turistik. Këtë vit do hapen edhe 4 qendra të reja më shumë se një vit më parë, ndërsa për herë të parë do të shërbejnë edhe motoambulanca. Ministrja tha se ka nisur procesi i dezinsektimit nga Shkodra dhe do shtrihet në gjithë vendin.

“Duke filluar nga data 1 qershor, për të përballuar fluksin e shtuar të turisteve, do të hapim 34 qendra shëndetësore verore ose 4 më shumë se një vit më parë, të shpërndara gjeografikisht në të gjithë zonat kyçe të frekuentuara nga turistët, nga Thethi e Korabi, deri në Ksamil. Qendrat e reja verore që do të çelen për herë të parë në 2024-n janë ato në Hamallaj, Radomirë, Jalë dhe Bogë. 10 QSH në veri, 15  në jug dhe 9 në Shqipërinë e mesme. Fillojnë funksionimin nga 1 qershori deri në 30 shtator. Po përfundojmë rekrutimin e punonjësve të shëndetësisë që do punojnë 24/7 për të gjithë qytetarët dhe turistët. Rreth 200 mjekë dhe infermierë që do punësohen. Do shërbejnë edhe motoambulanca, që shmangni trafikun dhe shkurtojnë kohën e marrjes së ndihmës së parë”, tha Koçiu.

Më tej, ministrja u ndal edhe në procesin e dezinsektimit për mushkonja dhe insektet e tjera, që ka nisur tashmë nga zona e Liqenit të Shkodrës dhe do të mbuloje 20% më shumë territor këtë vit.