May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

5 maji, Dita e Dëshmorëve, mazhoranca mban homazhe për të rënët, nga opozita vetëm Meta

Përkujtimi i dëshmorëve të atdheut nuk bëri bashkë politikën, por vendosi krah më krah sërish Edi Ramën me Erion Veliajn.

Ceremoniali shtetëror këtë herë pati disa modifikime krahasuar me të shkuarën. Fillimisht ishte kurora e Bajram Begajt, të cilën e vendosi Garda e Republikës, pasi kreu i shtetit vijon të jetë në vizitën disa ditore në Kalabri të Italisë.

Protokolli shtetëror parashikon radhën e nderimit të dëshmorëve, ku pas Presidentit ishte Kryetarja e Kuvendit, e më pas Kryeministri Edi Rama. Mes anëtarëve të qeverisë mungonte Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, vend bosh ky që afroi Edi Ramën me Erion Veliajn.

Ndonëse ngjitur, si Rama ashtu edhe Veliaj nuk patën asnjë shkëmbim fjalësh ndërmjet tyre, duke mbajtur vështrimin vetëm përpara.

Me përfundimin e ceremonisë zyrtare, titullarët shtetëror u larguan nga Varrezat e Dëshmorëve, ku edhe këtu, ra në sy largimi i Edi Ramës me Lindita Nikollën, ndërsa Veliaj qëndroi me kolegët e pushtetit vendor.

Ditën e dëshmorëve e përkujtoi edhe Partia e Lirisë. Ilir Meta që në karrierën e tij politike ka qenë tepër i afeksionuar pas luftës antifashiste nacional çlirimtare, kishte vajtur që në orën 09:00 ku zhvilloi ceremoninë, e duke e mbyllur mesazhin politik për planin e tij me5 pika.

Pjesa tjetër e opozitës ka një qasje më kritike ndaj kësaj dite pasi mes luftës nacional çlirimtare dhe komunizmit nuk ka një dallim të qartë për ta.