May 13, 2024
Tirana, Albania
Ekonomi Lajmi i fundit

Fundi i krizës së çmimeve? Inflacioni në prill ra në nivelin më të ulët në tre vite

Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera që përdorim çdo ditë u rritën më lehtë se një vit më parë edhe muajin e shkuar. Vala e inflacionit vijoi tërheqjen për të shtatin muaj me radhë në prill duke rënë në 2.1 për qind nga 4.6 për qind një vit më parë. Ky është niveli më i ulët i regjistruar në tre vite.

“Në rënien e inflacionit ndikim po ka zbutja e çmimeve në vendet nga ku ne importojmë. Kjo di te vendet e Rajonit ashtu edhe te ato europiane. Kursi i këmbimit gjithashtu po jep kontributin e vet. Rënia e valutave po i bën çmimet e importet për të ulëta”, tha Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Edhe më e fortë rezulton rënia e inflacionit te ushqimet dhe pijet në prill. Treguesi përllogaritet në 1.5 për qind në prill nga 9.6 për qind një vit më parë.

“Jo që nuk ka rënë gjë, por çmimet janë rritur. Ata gënjejnë. Në Angli çmimet e konsumit janë gati njësoj me Shqipërinë. Kjo është e tmerrshme. Këta po mbushen e ne po zbrazemi”, thotë një qytetar.

Sipas Institutit të Statistikave, rënia e inflacionit edhe në prill u ndikua kryesisht nga zbutja e çmimeve të karburanteve. Gjithashtu, muajin e shkuar u rritën më ngadalë edhe çmimet e ushqimeve e pijeve, qiratë, duhani, kafenetë e veshjet.

“Çmimet anë të larta. Rritja po ndodh më lehtë. Nëse nuk do të rriteshin çmimet nuk do të kishim inflacion fare”, shprehet eksperti.

Një inflacion në këto nivele, veç konsumatorëve është lajm i mirë edhe për ata që kanë kredi në banka. Së paku për momentin normat e interesit nuk do të rriten, ndërsa nuk mundojnë as sinjalet për lehtësim të politikës monetare. Kjo do të bënte që huamarrësit shqiptarë në lekë të paguanin më pak në këstet e tyre të kredive.