“Sot po shkruajmë historinë!” Kështu i tha presidenti Aleskandar Vuçiç turmës gjigante që ishte mbledhur para pallatit presidencial në serbi, për të mirëpritur me ovacione dhe duartrokitje, mikun e ngushtë të Beogradit, Xi Jinping… gjatë vizitës që Vuçiç e ka cilësuar si një nder të madh, dy udhëheqësit u dakordësuan për të ndjekur një të ardhme të përbashkët. Ata nënshkruan 29 marrëveshje, që promovonin bashkëpunimin ligjor, rregullator dhe ekonomik, me Serbinë që u bë i pari vend Europian ndër vite me të cilin Kina nënshkruan një marrëveshje për tregtinë e lirë.
“Republika e Serbisë dhe ajo popullore kineze po përparojnë nga marrëdhëniet strategjike drejt projektimit të së ardhmes së përbashkët për dy vendet. Ky është niveli më i lartë i bashkëpunimit mes dy shteteve dhe unë jam krenar për këtë”, tha Vuçiç.
Vuçiç theksoi se që prej vitit 2020, Kina kishte qenë investitori më i madh në Serbi dhe se investimet ishin rritur 30 fish gjatë dekadës së fundit. Marrëveshja e tregtisë së lirë, e cila duhet të bëhet operacionale në korrik do të garantojë eksporte pa tarifa për 95 përqind të produkteve serbë drejt Kinës përgjatë 10 viteve të ardhshme.
Të dy liderët folën për një miqësi të çeliktë mes tyre. Bashke me Hungarinë ku Jinping do të udhëtojë pas Beogradit, Serbia është një prej mbështetësve më të zjarrta të projektit “një brez një rrugë” të Kinës.
“Kina dhe Serbia janë miq të vërtetë dhe parterë të mirë. Besimi politik reciprok është solid, bashkëpunimi dhe koordinimi multilateral është i ngushtë dhe miqësia e pathyeshme”, tha Xi Jinping.
Vuçiç tha se kishte marrë mbështetje të fortë politike nga Jinping dhe për të gjitha çështjet e ngritura në OKB. Presidenti serb theksoi se Serbia do t’i rezistoi me guxim përpjekjeve për të rishkruar kujtesën historike dhe presioneve nga jashtë, ndërsa falenderoi aleatin kinez për qëndrimin sa i përket Kosovës dhe integritetit territorial të Serbisë.