May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Largimi masiv i të rinjve shqiptarë, Rama: Nuk është vetëm problemi ynë, por i gjithë Europës

Kryeministri Edi Rama ka qënë i pranishëm pasditen e sotme në panelin “Perspektiva Europiane e Ballkanit Perëndimor”, të mbajtur në Aachen të Gjermanisë. Gjatë fjalës së tij, i pyetur për largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, kryeministri deklaroi se ky nuk është vetëm problemi ynë por i gjithë Europës. Duke e cilësuar emigrimin si një “luftë për mish të njomë”, Rama u shpreh se shqiptarët nuk shihen më si problem nga perëndimi, por si të preferuar se janë të bardhë, duke anashkaluar kështu ndonjë mundësi për të frenuar shpopullimin që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sipas raporteve.

“Unë nuk di si të jem diplomatik dhe duhet të them atë që mendoj. Problemi që unë shoh se Europa e vjetër, po vuan nga demografia që është një dënim për të gjithë ata, më pak fëmijë, nevojë për krah punë, një bela e madhe sesi të merren me migracionin.  Kështu që është shndërruar në luftë për mish të freskët. Si të marrin të rinj nga ne që të vijnë këtu, sa më shumë të jetë e mundur. Nuk është koha që shqiptarët apo të tjerët nga BP shiheshin si problem. Ata janë më të preferuarit sepse janë të bardhë, sepse dhe kur janë myslimanë, nuk e kanë shumë të vështirë të përshtaten. Qofshin myslimanë apo krishterë nga BP janë europiane dhe vijnë aty. Si mundet ta ndalojmë këtë. Përgjigja më e lehtë, duhet të luftoni korrupsionin, të rrisni pagat, më fal po si mund ta bëjmë të gjithë këtë? Si mund tu themi ‘ja ku e ke pagën, më mirë se në Gjermani’. Është thjesht e pamundur. Kush mendon ndryshe, nuk mendon si duhet. Ky është një problem i madh dhe ne po përpiqemi të përballemi me të. Kemi bërë përparim, kemi shkuar në një pagë mesatare në sektorin publik nga 450 euro në 900 euro. Në sektorin privat po rriten për shkak të turizmit dhe mungesës së krahut të punës”,– tha Rama.