Policia e Tiranës ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me videon që u publikua ditën e sotme nga JOQ, ku shihej se një shtetas dhunonte fizikisht nënën e tij. Lidhur me rastin Policia njofton se është vënë në pranga agresori 36-vjeç, i cili ishte nën masën e arrestit në shtëpi për të njëjtën akuzë.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar ditën e sotme, në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një shtetas që dhunon nënën e tij, ju informojmë se: Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të rastit, identifikuan dhe shoqëruan shtetasin G. K., 36 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i tij për veprat penale “Dhuna në familje”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Ngjarja u publikua pasditen e kësaj të mërkure nga JOQ, ku në një video të denoncuar nga banorët e lagjes, shihet se si 39-vjeçari dhunon nënën duke e kapur prej flokësh dhe eshtyn fort, teksa i bërtet me të madhe. Banori që ka denoncuar rastin është shprehur se agresori sapo ka dalë nga burgu dhe dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.