May 13, 2024
Tirana, Albania
Sport

Muçi-Rashica shqiptarët që po “shpëtojnë” Beshiktashin!

Ernest Muçi është përshtatur shpejt dhe shumë mirë te Besiktasi, skuadër të cilën e riktheu pas tri vitesh në finalen e Kupës së Turqisë falë golit vendimtar që realizoi përballë Ankaragucut.

Talenti i kombëtares shqiptare nuk e fshehu gëzimin e tij për golin, fitoren dhe kualifikimin, teksa ua dedikon tifozëve kalimin në finalen e madhe. Përballë fituesit të çiftit Karagumruk-Trabzonspor (2-3).

“Ndeshje shumë e rëndësishme, jemi të lumtur që fituam. Zhvilluam një ndeshje të madhe për të shpëtuar sezonin. E dinim që tifozët e donin me çdo kusht këtë fitore, dhe ne ia dolëm për ta.

Treguam karakter, ndërkohë që tifozët na motivuan me mbështetjen e tyre. Shënova një gol të rëndësishëm, arritëm një fitore të rëndësishme. Jemi të gjithë shumë të lumtur”.

23-vjeçari u ndal edhe te shokët e rinj të skuadrës, ku sigurisht veçon Milot Rashicën, shqiptarin tjetër të skuadrës nga Stambolli. Mikun e tij më të mirë.

“Mund të them se jam përshtatur mjaft mirë me skuadrën dhe shokët. Të gjithë djemtë janë miqësorë. Më i miri është Miloti, ai është shoku im. Po argëtohemi, kalojmë shumë bukur me njëri-tjetrin”.