May 13, 2024
Tirana, Albania
Kosova Lajmi i fundit

Paralajmërimi i Gërvallës: Nëse Rusia fiton në Ukrainë, Europa të përgatitet për luftë

“Rusia duhet që ta humbasë luftën në Ukrainë, në mënyrë që konflikti të mos përhapet më tej në Europë”. Kështu shprehet ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një prononcimi për median ndërkombëtare Associated Press.

Ajo nënvizon se Prishtina po e ndihmon Kievin, pavarësisht se ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, sepse ka kaluar të njëjtën situatë me Serbinë. “E dimë që ka vetëm një zgjidhje, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Europën.

Rusia duhet të humbasë luftën dhe Ukraina të fitojë. Në të kundërt, Europa duhet të përgatitet për një tjetër konflikt në kontinentin tonë”, nënvizon Gërvalla.

Ministrja e jashtme, duke folur nga Polonia, komentoi dhe vizitën e liderit kinez, Shi Xhinpin, në Beograd, duke theksuar se me këtë, Serbia po e identifikon veten si palë me kundërshtarët e demokracive europiane dhe perëndimore. “Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë një vend kandidat për në BE dhe një mashë e Rusisë në këto kohë, kur Rusia I ka shpallur luftë jo vetëm Ukrainës, por edhe perëndimit”, përfundon zonja Gërvalla.