May 13, 2024
Tirana, Albania
Politikë

Veliaj “mollë sherri”, opozita shfrytëzon marrëveshjen me KFW për sulm, PS e merr në mbrojtje

Gjermanët po i japin përmes KFW Bashkisë së Tiranës një kredi 50 milionë euro për transportin e gjelbër, por më parë duhej vota jeshile e Parlamentit.

Zakonisht atë nuk e kursen as opozita, por ky nuk ishte rasti. Demokratët e shfrytëzuan foltoren për të sulmuar kryebashkiakun Erion Veliaj, këtë herë  nga foltorja e Kuvendit.

“Transporti i gjelbër i Tiranës, me thënë të drejtën më kap e qeshmja”, tha Noka. Ai shkoi më tej në akuzat për inceneratorin e Tiranës pas të cilit, sipas tij, ka edhe iranianë edhe rusë.

“Seancën tjetër do ju paraqesim edhe përfshirjen ruse në kompaninë e inceneratorit të Tiranës dhe të Lali vjedhësit, me emra, me data, me kontrata”, tha Noka.

Është momenti për të marrë terren socialistët. I pari në mbrojtjen e kryebashkiakut  doli Toni Gogu.

“Dole dhe e lexove fjalimin e kolegut Berisha, na mungon shumë, por nuk na e sjell dot Flamur. Na merr malli është e vërtetë, por ti nuk na e sjell dot. Mos u merr me Erionin, ai ka rrugëtimin e vetë, ti përgjigjet kryetarit të grupit, këtë bëjë”, tha Gogu.

“Mediokër je kur flet në emër të zotit dhe mbron djallin. Të gjithë ata që kanë punuar në bashki, çohen dhe mbrojnë hajdutërinë…”. Fatmri Xhafaj kërkoi që debati të kthehet në shinat e procedurës parlamentare të diskutimit të marrëveshjes që i vlen kryeqytetit. Ndërsa si jurist u kujtoi opozitarëve parimin e prezumimit të pafajësisë për drejtorët e bashkisë, vetë deklaroi mbështetjen për kryetarin Erion Veliaj.

“Unë besoj tek Bashkia e Tiranës, tek kryetari i saj, tek ekipi drejtues, dhe mbi të gjitha tek specialistët dhe punonjësit e saj. Padyshim që është Tirana sot është më e mirë se disa vite më parë. Është një çështje penale që ka ngritur akuza penale ndaj disa drejtorëve, si jurist kam gjithë detyrimin që të respektojnë prezumimin e pafajësisë. Ju po shkoni më lart, po i bëni gjyq bashkisë”, tha Xhafaj.

Teksa deklaroi votën kundër për marrëveshjen e kredisë 50milioneuroshe kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi argumentin e mbështet te fati i fondeve për inceneratorëve.

“Ndryshe nga ju që besoni te hajdutët si administrator, ne kemi besim që paratë ë shqiptarëve duhet të shkojnë për investime për ta. Vlera e kësaj kredie është e barabartë me vlerën që SPAK thotë se janë vjedhur tek inceneratori i Tiranës”, tha Bardhi.

Lumit të akuzave ju kundërvu një pyetje nga socialisti tjetër Erion Braçe, pyetje që mbeti pa përgjigje.

“Një pyetje kam, kujt nga ju i kanë marrë vëllain në Gjermani për trafik droge? Kujt?”, tha Braçe.